Saturday, 28 May 2011

SURA 34. SEBE'

SURA 34. SEBE'
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
1. Falënderimi i takon All-llahut, që e Tij është çka ka në qiej dhe
çka ka në tokë dhe i tërë falënderimi i takon Atij në botën tjetër. Ai
është i urti i përsosuri në njohuri.
2. Ai e di çka vihet në tokë dhe çka del prej saj dhe çka zbret prej
qiellit e çka ngrihet në të; Ai është Mëshiruesi, Mëkatfalësi.
3. E ata që nuk besuan thanë: "Nuk do të na vijë neve kijameti!" Thuaj:
"Po, pasha Zotin tim që e di të fshehtën, pa tjetër do t'ju vijë ai
juve. Atij nuk mund t'i fshihet as në qiej e as në tokë sendi sa
grimca, e as më i vogël, e as më i madh, vetëm se janë të regjistruar
në librin e qartë".
4. (Janë të shënuara) Që t'i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të
mira. Për të tillët ka falje dhe furnizim të mirë.
5. Ata që u përpoqën t'i mposhtin faktet Tona, ata do të kenë një dënim
të keq, të dhembshëm.
6. Ndërsa atyre që u është dhënë dijenia, e dinë se kjo që të është
shpallur ty nga Zoti, është e vërtetë dhe se udhëzon për në rrugën e
Fuqiplotit, të lavdishmit.
7. Dhe ata që nuk besuan thanë: "A doni t'ju tregojmë për një njeri që
do t'ju informojë juve se si, pasi që (të vdisni e) të jeni copëtuar
plotësisht, ju do të krijoheni rishtazi?
8. A është duke krijuar gënjeshtër ndaj All-llahut, apo e ka kapur
çmendia?" Jo, por ata që nuk besojnë botën e ardhshme, janë të dënuar
përjetë, e tash janë në humbje të pambarim.
9. A nuk e shohin qiellin e tokën që i ka rrethuar ata para dhe prapa?
Sikur të duam, Ne e shafitim tokën me ta ose shembim mbi ta copa nga
qielli. S'ka dyshim se në këtë ka argument për secilin njeri që kthen
mendjen te Zoti.
10. Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana e jonë: "O male
dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të!" Ne ia zbutëm atij
edhe hekurin (si brumë).
11. (I thamë) Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thurri me
precizitet ato. Dhe bëni vepra të mira (o familje e Davudit), se Unë
vëzhgoj atë që ju punoni.
12. Edhe Sulejmanit ia nënshtruam erën që paraditja (e udhëtimit me të
duke shkuar) ishte sa një muaj dhe pasditja e saj (në të kthyer) sa një
muaj (udhëtimi). I bëmë që atij t'i rrjedhë burim i remit dhe me
urdhërin e Zotit të tij, ia nënshtruam xhinët që punonin sipas dëshirës
së tij, e kush largohet prej tyre nga urdhëri Jonë, atij do t'ia
shijojmë zjarrin e fortë.
13. I punonin atij çka ai dëshironte: pallate të fortifikuara,
skulptura, pjata (të drunjëta) sikurse rezervuare, enë (kazana) të
palëvizshme. Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga
robërit e Mi, pak janë mirënjohës.
14. E kur ia caktuam atij vdekjen, askush tjetër, nuk i njoftoi ata
(xhinët) për vdekjen e tij, përveç krimbit që i brejti shkopin e tij, e
kur u rrëzua ai, për xhinët u bë e qartë se sikur të ishin ata që e
229
dinin të fshehtën, nuk do të vazhdonin të qëndronin në mundimin e
rëndë.
15. Populli Sebe pati një begati në vendbanimin e vet: kishin nga të dy
anët kopshte, nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani
(u thamë) nga begatitë e Zotit tuaj dhe falënderonju Atij. Qytet i mirë
dhe Zot mëkatfalës.
16. Po ata i kthyen shpinën, e Ne e lëshuam kundër tyre rrjedhën e
pendës dhe dy kopshtet e tyre i shndërruam në dy kopshte me fruta të
idhët, drunj të thatë dhe diçka pak bari të egër.
17. Atë dënim ua dhamë atyre për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë,
përveç mohuesit.
18. Dhe, në mes tyre dhe mes fshatrave të bekuara (në Sham), ju bëmë
fshatra të njëpasnjëshme dhe ju bëmë udhëtim të përshtatshëm. Udhëtoni
të sigurt nëpër to natën e ditën.
19. Po ata thanë: "Zoti ynë, na i largo udhëtimet tona!" E ashtu e
dëmtuan veten dhe i bëmë ata ngjarje tregimesh, i ndamë plotësisht. Në
këtë ka argumente për secilin durimtar e mirënjohës.
20. Në të vërtetë, djalli realizoi mendimin e vet ndaj tyre, ndaj edhe
e dëgjuan atë, përpos një grupi besimtarësh.
21. E ai (djalli) nuk pati kurrfarë pushteti ndaj tyre, përveç që (dija
e Jonë të dalë në shesh) të dihet ai që beson në botën tjetër, prej
atij që është në dyshim për të. E Zoti yt është përcjellës ndaj çdo
gjëje.
22. Thuaj: "Thirrni ata, të cilët i menduat për zota pos All-llahut!"
Ata nuk posedojnë sa një grimcë as në qiej e as në tokë dhe as që kanë
në to nonjë pjesë, dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje.
23. Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi te Ai, përveç i atij të cilit i jep
leje, e kur hiqet frika nga zemrat e tyre (të ndërmjetësuesve), ata
thonë: "Çka tha Zoti juaj!" (rreth shefatit). Ata (engjëjt e lartë)
thonë: "Të vërtetën!" (u dha leje). Ai është më i larti, më i madhi.
24. Thuaj: "Kush ju furnizon nga qiejt e nga toka?" Thuaj: "All-llahu".
E atëherë, ose ne ose ju jemi në rrugë të drejtë, apo në një humbje të
dukshme!
25. Thuaj: "Ju nuk jeni përgjegjës për gabimet tona, e as ne nuk
përgjigjemi për atë që veproni ju!"
26. Thuaj: "Zoti ynë na tubon neve dhe juve, e pastaj me drejtësi
gjykon mes nesh, se Ai është gjykatës i drejtë, i dijshëm.
27. Thuaj: "M'i tregoni ata (idhuj) që ia shoqëroni Atij si rivalë!"
Jo, kurrsesi nuk ka shok, por Ai është All-llahu, i gjithfuqishmi, i
urti!"
28. Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit,
myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e
dinë.
29. E thonë: "Kur është ai premtim, nëse jeni të vërtetë?"
30. Thuaj: "Ju keni afatin e një dite që për asnjë moment nuk do të
shtyheni për më vonë, e as nuk do të nguteni më para.
31. Dhe ata që nuk besuan thanë: "Ne nuk i besojmë këtij Kur'ani, e as
atij që ishte para tij, (librave të tjerë)?!" E sikur t'i shihje
230
zullumqarët kur të dalin para Zotit të tyre të ndalen, kthejnë fjalën
(fyese) njëri-tjerit, atyre që ishin pari, u thonë: "Sikur të mos ishit
ju, ne do të kishim qenë besimtarë!"
32. E ata që ishin pari, atyre që kishin qenë të dobët u thonë: "A ne
ju penguam prej udhëzimit të drejtë pasi që u pat ardhur juve? Jo, por
ju vetë ishit kriminelë!"
33. E ata që kishin qenë të shtypur, atyre që ishin krerë u thonin:
"Jo, por dredhia juaj natë e ditë (na largoi prej besimit), kur ju na
thërrisnit të mos e besojmë All-llahun dhe t'i bëjmë Atij shokë. E kur
e shohim dënimin, e fshehin dëshpërimin e vet dhe Ne u vëmë prangat në
qafat e atyre që nuk besuan. Ata nuk dënohen për tjetër pos për atë që
punuan.
34. Ne nuk dërguam në asnjë vendbanim ndonjë nga pejgamberët e që
pasanikët e tij të mos i thonin: "Ne nuk i besojmë asaj me çka jeni
dërguar".
35. Ata thoshin: "Ne kemi më shumë pasuri e fëmijë, e ne nuk do të jemi
të ndëshkuar".
36. Thuaj: "All-llahu ia shumon begatinë atij që do, e edhe ia pakëson,
por shumica e njerëzve nuk e dinë".
37. Nuk është as pasuria juaj, e as fëmijët tuaj ajo që ju afron pranë
Nesh, është vetëm besimi dhe veprat e mira; të tillët shpërblehen
shumëfish për atë që vepruan dhe ata janë në dhoma të larta të
shpëtuar.
38. Ndërsa, ata që përpiqen t'i mposhtin argumentet Tona, të tillët
janë të dënuar.
39. Thuaj: "S'ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të
begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çkado
që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh.
40. Dhe, (përkujto) ditën kur i tubon ata të gjithë e pastaj engjëjve u
thotë: "A këta ishin që vetëm juve u adhuronin?"
41. Ata (engjëjt) thonë: "I pa të meta je o i madhëruar! Ti je Zoti
ynë, larg asaj që ata thonë! Por ata kanë qenë që adhuronin xhinët
(djajtë) dhe shumica sish u besonin atyre".
42. E sot pra, Nuk keni gjë në dorë t'i bëni as dobi, as dënim njëritjetrit,
dhe atyre që ishin zullumqarë u themi: "Shijoni dënimin e
zjarrit, të cilin e konsideruat gënjeshtër!"
43. E kur u lexohen atyre ajetet tona të qarta, ata thoshin: "Ky nuk
është tjetër vetëm se njeri, i cili dëshiron t'ju shmangë nga ajo që
adhuronin prindërit tuaj" dhe thoshin: "Ky (Kur'ani) nuk është tjetër
vetëm se është gënjeshtër e trilluar!" Madje, ata që nuk besuan të
vërtetën, pasi ajo u erdhi, i thanë: "Kjo (Muhammed, feja islame,
Kur'ani) nuk është tjetër vetëm se magji e qartë!"
44. Po Ne nuk u kemi dhënë atyre ndonjë libër që ta mësojnë dhe as nuk
dërguam te ata ndonjë pejgamber para teje (pra ata nuk dinë si është
pejgamberi as si është shpallja).
45. Edhe ata që ishin para këtyre (kurejshitëve) patën përgënjeshtruar,
dhe këta nuk kanë (kurejshitët) as një të dhjetën e asaj, që Ne u patëm
dhënë atyre, e i konsideruan rrenacakë të dërguarit e Mi, ja si ishte
dënimi Im.
231
46. Thuaj: "Unë ju këshilloj vetëm me një gjë: Për hir të All-llahut të
angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni
thellë (që ta kuptoni) se shoku juaj (Muhammedi) nuk ka ndonjë çmendje.
Ai nuk është tjetër vetëm t'ju tërheqë vërejtjen për një dënim të
ashpër (nëse nuk besoni)".
47. Thuaj "Unë nuk kërkova prej jush ndonjë shpërblim, nëse kam
kërkuar, ai le t'u mbetet juve, shpërbilmi im është vetëm prej Allllahut,
e Ai është dëshmitar për çdo send".
48. Thuaj: "Zoti im, Njohës i të fshehtave, sjell të vërtetën".
49. Thuaj: "Erdhi e vërteta, e kota u zhduk pa fillim dhe pa kthim!"
50. Thuaj: "Nëse unë kam humbur, atëherë e keqja e humbjes është vetëm
në dëm timin, e nëse e kam gjetur të vërtetën, atëherë ajo është me
ndihmën e Zotit tim; Ai është dëgjues, i afërt!"
51. E sikur t'i shohësh ata kur i kap frika e nuk kanë shpëtim edhe të
kapën prej një vendi afër (do të shihje tmerr të madh).
52. Dhe thonë: "Ne i kemi besuar atij (Kur'anit, Muhammedit)!" Po si
arrijnë ata besimin prej së largu?
53. Kur ata më parë e mohuan atë dhe prej së largu thoshin me hamendje
(s'ka ringjallje, s'ka përgjegjësi etj.).
54. Dhe ndërhyhet (ndërhyn All-llahu) ndërmjet tyre dhe ndërmjet asaj
që dëshirojnë ata, ashtu sikurse është vepruar me parë me të ngjashmit
e tyre (partinë e tyre); vërtet, ata ishin në një dyshim të fortë.

No comments:

Post a Comment