SURA 66. TAHRIM
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
1. O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli),pse ia
ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave
tuaja? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.
2. All-llahu u ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; All-llahu
është kujdestari juaj; Ai është i gjithdijshmi, i urti.
3. (Përkujto) kur Pejgamberi ndonjerës prej grave të veta i kumtoi
fshehurazi një lajm, e kur ajo tregoi atë (lajm), e All-llahu
(Pejgamberit) i zbuloi atij për të (kallzimin e lajmit nga ajo grua),
ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën
tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njohtoi atë (gruan) me atë (që i
kishte treguar), ajo tha: "E kush të tregoi ty këtë?" Ai tha: "Më
tregoi i gjithdijshmi, njohësi i të fshehtave!"
4. Nëse ju të dyja pendoheni te All-llahu (është më mirë për ju), sepse
zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij,
ta dini se All-llahu është Ai mbrojtës i tij si dhe Xhibrili dhe
besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në
ndihmë.
5. Nëse ai u ka lëshuar juve, është detyrë e Zotit të tij t'i bëjë atij
zëvendsim me gra edhe më të mira se ju; muslimane, besimtare,
respektuese, penduese, adhuruese, emigruese që kanë qenë të martuara
ose virgjëresha.
6. O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda
djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin
engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për
asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.
7. O ju që mohuat, sot mos u arsyetoni; ju shpërbleheni vetëm për atë
që keni vepruar.
8. O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të
sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t'i largojë prej jush të këqijat, t'u
shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk
e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e
tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: "Zoti
ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për
çdo send".
309
9. O ti pejgamber, luftoji jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër
kundër tyre; vendi i tyre është Xhehennemi që është një vend i
shëmtuar!
10. Atyre që mohuan, All-llahu u sjell një shembull gruan e Nuhut dhe
gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga
robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të
dy nuk mund t'i mbrojnë ato fare te All-llahu, e atyre dyjave u thuhet:
"Hyni në zjarr së bashku me ata që hyjnë!"
11. E atyre që besuan, All-llahu u solli shembull gruan e faraonit kur
ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në Xhennet dhe
më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej
popullit mizor!"
12. Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne
prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të
saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme.
No comments:
Post a Comment